Konferenca e Turizmit dhe e Mikpritjes 2024: "Kon-Tur-bulenca"
Projekti Akademia Rinore Kundër Diskriminimit implementohet nga OJQ EDUCO dhe OJQ Durmish Aslano dhe përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Terre des hommes ne Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve dhe HEKS/EPER.
![Konturbulenca Konturbulenca](https://ojqeduco.org/wp-content/uploads/2024/10/Konturbulenca.jpg)
Dita e Parë: Hapja Solemne dhe Festimi i Ditës Botërore të Turizmit
Hapja solemne u mbajt më 27 shtator 2024 në Kino Plato me moderimin e Sejnur Veshall, ku u shfaq një film i shkurtër prezantues për konferencën. Pas fjalimeve të rastit të mbajtura nga drejtori i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, z. Ramadan Tarashaj, dhe drejtori i EDUCO-s, z. Enis Shkurti, pati një event kulturor me këngëtaren Edona Reshitaj dhe bandën e saj, të ndjekur nga një performancë DJ. Ky event ishte i hapur për publikun dhe kontribuoi në ndërgjegjësimin e vizitorëve dhe banorëve për rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Prizren.
Dita e Dytë: Panelet Diskutuese dhe Sesionet e Ndara
Dita e dytë u mbajt në Doku Kino, ku u zhvilluan dy panele diskutimi me temat kryesore të konferencës, të ndara në sesione dhe transmetuar live në rrjetet sociale për të arritur një audiencë më të gjerë.
Panelistët e Ftuar në Ditën e Dytë përfshinin:
- Alberta Tahiri, profesoreshë e turizmit në Universitetin Haxhi Zeka, për ndikimin e turizmit masiv në strategjitë e Kosovës.
- Nora Arapi Krasniqi, eksperte në Trashëgiminë Kulturore dhe këshilltare në Ministrinë e Kulturës, për ndikimin e turizmit në monumentet e trashëgimisë kulturore.
- Rudina Efendiu Lila nga GuideKS, për rëndësinë e profesionalizmit të udhërrëfyesve.
- Ramadan Tarashaj, drejtori i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, për ndikimin ekonomik të turizmit të qëndrueshëm në ekonominë lokale.
Në panelin e dytë morën pjesë:
- Valentina Gara, përfaqësuese nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, për sezonin turistik 2024.
- Xhevdet Hyseni, nga Shoqata për Hoteleri, Turizëm, Promovim dhe Integrim (PRO.IN), për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e turizmit.
- Xhevahire Karavidaj, përfaqësuese e Diamond Vector Travel, për sezonin 2024 të agjencive turistike.
- Albert Gjonaj, përfaqësues i Hotel Centrum, për sezonin turistik 2024 në industrinë e hotelerisë.
Dita e Tretë: Rrjetëzimi dhe Diskutimi për Strategjitë e Përbashkëta
Dita e tretë u dedikua për diskutime të drejtpërdrejta mes pjesëmarrësve dhe panelistëve, si dhe për të ndarë përvoja dhe për të vendosur themele për bashkëpunime të reja.