
Sot u mbajt dita e parë e punëtorisë për restaurimin e artefakteve etnografike, e organizuar në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjatë kësaj dite, pjesëmarrëset patën mundësinë të marrin informacione të vlefshme nga trajnerja Delvina Bytyqi, antropologe me përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe etnografisë.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrëset u njohën më afër me artefaktet që ruhen në Lidhjen e Prizrenit, duke kuptuar rëndësinë historike dhe kulturore të tyre. Po ashtu, ato u përfshinë në aktivitete praktike të restaurimit, duke mësuar teknika bazë dhe metoda të ruajtjes së artefakteve tradicionale. Punëtoria do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke ofruar hapësirë për më shumë mësim dhe përvojë praktike.